Comments

Kujtim Buza

Model i bukurise harmonike

E njoh pikturen e Pashkut qysh ne fillimet e tij kur peneli i mbushur me ngjyre shtrihej gjere ne telajo (fiber), duke modeluar pershtypje nga natyra rreth Lezhes, ku lindi dhe vazhdon te jetoje e te krijoje. Natyra e qete: "Lule"(1985); peizazhet: "Drini dhe Lezha"(1985), "Barkat"(1985); portretet: "Cigani"(1985), "Portret djali"(1986) etj. me paten lene pershtypje. Habitesha me nje djale nga Lezha qe dinte te pikturonte me shkathtesi impresione mbreselenese me plasticitet, hapesire dhe soliditet, lirshem si nje impresionist i lindur. Piktura e tij kishte gjendje momentale, shperthente vrullshem dhe te befasonte me virtuozitetin e nje talenti qe dallohej.
Pashku, me intuiten e nje artisti te lindur pikturonte portretet ashtu si lulet, lulet si peizazhet, peizazhet si te ishte zot i tyre; nuk tronditej perpara natyres, vetem duart i leviznin sakte. Tonet e perthyera, qe rridhnin lirshem mbi palete, modelonin me ngjyre plane te medha qe respektonin natyren ne nje menyre terheqese, sigurisht sipas modeleve me te mira qe ai me mprehtesine e tij seleksiononte. Ne kete menyre terhoqi vemendjen dhe u ekspozua per here te pare me 1979 ne nje ekspozite kombetare kur kishte vetem pak kohe qe kishte mbaruar shkollen e mesme. Pjesemarrja ne ekspozitat e mevonshme (dhe dy ekspozita personale te tij) sherbejne si shtyse dhe domosdoshmeri per te ndjekur Akademine e Arteve, hap i veshtire per nje talent qe nuk njihte programe, kode dhe huqe konkurimesh. Mbaj mend qe te vetmen keshille qe i bera ishte: trego veteveten! Pikturo njeriun (modelin) ashtu si pikturon peizazhin. Ne studion e tij ne Lezhe, ne mes te punimeve te shumta, letrave dhe kujtimeve te rinise, te shkolles dhe te viteve me tej, me erdhi mire qe ruante edhe nje leter timen te dates 7 tetor 1986 qe e uroja per fillimin shkolles dhe qe mbyllej me perqafime kolegesh te ardhshem. Shkolla plotesoi dhe formoi teresisht artistin qe trokiti sinqerisht ne porten e rende te artit, duke perballuar, bashke me gruan dhe familjen, ngarkesa qe duan perkushtim dhe mirekuptim.
Periudha pas studimeve sistemon dhe perqendron fokusin e tij artistik, formon nje profil te vetin, dhe ben te germoje ne themelet e poetikes impresioniste, duke derdhur gjithe gjallerine e vet te vrullshme krijuese. Pas "kolaudimit" ne shkolle dhe jashte saj, Pashk Pervathi fillon te formoje emer, te numerohet nder ekspozita si nje peizazhist me potenciale artistike individuale, duke kaluar nga tone te buta e te peraferta ne formesimin arkitektonik te nje strukture me ngjyre me intensive, me vlera te reja emocionale; duke kaluar ne rrafshe te sheshta; melankonik, gjithmone bukur dhe emocionues. Me kujton keshtu ate faze kur i madhi Sezan kerkonte, i pakenaqur nga vrojtimi impresionist i natyres, te konstruktonte dhe te kalonte nga qendrimi besnik i ndjenjave shqisore vetjake, ne dicka me solide dhe te qendrueshme. Pashku qysh ne vitin 1990 me peizazhin direkt nga natyra, "Bregu i Himares", kerkonte te zbulonte dicka me teper, duke iu larguar pikenisjeve realiste apo impresioniste dhe sjell ne telajo konstruksione ekspresive, behet me e koncentruar struktura e piktures se tij, si rrjedhoje llogjike e krijimtarise se meparshme; ecen duke besuar zhvillime te reja cilesore; kende te dikurshme apo gjetjet momentale tani filtrohen ne interpretime qe thellojne dhe rilevojne idera te qendrueshme simbolike; hyn ne pikture metafora, piktura e tij behet filozofike, me prekese, por gjithmone e bukur. Tani ai kerkon nga nje teme te nxjerre sa me shume mundesi te shprehjes, gje qe manifestohet ne "lojen" qe ben me gure, varka, kuaj, parcela toke, etj. Penelat e Pashk Pervathit, dikur fishekezjarre qe shperthenin ne qiej bregdetare, tani jane te permbajtur dhe plot intensitet; motivet rilevohen ne sfonde te rrafsheta, gjetur mjeshterisht. Tani ka ardhur pjekuria, piktori mendon duke sjelle te tjera plane qe prekin dhe rikonstruktojne ne rrafshin filozofik boten e trazuar, por per Pashk Pervathin gjithmone BUKUR.

Kujtim Buza
Piktor i merituar
(Kritik arti)